Në orën 17:00 rinis Kuvendi. Sesioni i ri parlamentar pritet që të fillojë aty ku u mbyll i vjetri; tym, flakë dhe kaos nga opozita. Pa Sali Berishën që ndodhet në arrest shtëpie. Bledi Çuçi ka mbledhur Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste. Ai kërkoi nga deputetët rritje cilësore të debateve në Parlament dhe pjesëmarrje aktive të deputetëve.
“Për këtë sesion dua sidomos edhe qasjen që duhet të ketë grupi ynë në lidhje me integrimin. Në kushtet kur kemi një axhendë europiane tashmë, fokusi nuk është vetëm te qeveria, por edhe te institucionet e tjera kushtetuese.
Ne si grup parlamentar në këtë sesion duhet të jemi instrument llogaridhënës i institucioneve të pavarura. Të krijojmë një mekanizëm që institucionet e pavarura të kenë një fokus të veçantë lidhur me rekomandimet që jep BE”, tha Çuçi ndër të tjera.