Presidenti i Hertha Berlin, Kay Bernstein një ish-tifoz ultra i cili mori presidencën në vitin 2022, ka ndërruar jetë në moshën 43-vjeçare.
Lajmin, e ka bërë të ditur vetë klubi gjerman në një deklaratë zyrtare ditën e sotme ku njoftoi se ai kishte vdekur papritur dhe se “i gjithë klubi, komitetet dhe punonjësit e tij janë të habitur dhe thellësisht të tronditur”.
Mediat lokale raportuan se Bernstein ishte me ekipin për kampin e tij stërvitor në Alicante, Spanjë javën e kaluar dhe ishte kthyer me një fluturim për në Berlin të dielën.
Tabloidi BZ raportoi se ai vdiq nga një sulm i dyshuar në zemër.
Bernstein ishte një përkrahës i ekipit dhe ultras, teksa fitorja e tij në zgjedhjet presidenciale (e para për klubet e Bundesligës) u përshëndet në të gjithë Gjermaninë si një fitore për tifozët kundër komercializimit të sportit.
“Hertha BSC po mban zi për vdekjen e Kay Bernstein. Klubi mori lajmin e tmerrshëm të martën se presidenti Kay Bernstein ka ndërruar jetë papritur në moshën 43-vjeçare.
I gjithë klubi, organet e tij drejtuese dhe anëtarët e stafit janë të shokuar dhe të pikëlluar thellësisht nga lajmi. E gjithë familja Hertha po mban zi për vdekjen e Kay dhe po mendon për familjen dhe miqtë e tij” thuhet në njoftimin e klubit gjerman.
Hertha, e cila ra nga Bundesliga sezonin e kaluar, është e shtata në renditje në Bundesliga 2.