Agravohet lufta mes demokratëve. Kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi i është përgjigjur Lulzim Bashës, i cili e quajti burrec të vogjël, bashkë me Flamur Nokën lidhur me debatin që patën me Flutura Açkën. Por Bardhi thotë se Basha është “i paburrë që rri në shtëpi dhe shton katet në kulla” duke u fshehur pas zonjave.
“Absolutisht i keqardhur nga debati me kolegë të opozitës! Por, është fakt i njohur që opozita është në një betejë kundër mazhorancës në Kuvend, dhe çdo opozitar duhet të jetë krah nesh në këtë betejë, dhe jo përballë njëlloj si Edi Rama.
Tentativa për të provokuar me “normalitet të rremë” i kolegëve të opozitës, nuk mund të jetë kurrë strategjia e një opozitari. Ajo është vetëm strategjia e një të paburri, që vetë rri në shtëpi e kujdeset të shtojë katet në Kulla, ndërkohë që keqpërdor për fasadë të pazareve në kurriz të demokratëve, ndershmërinë e disa zonjave deputete, që vazhdojnë të besojnë gënjeshtrat e tij” shkruan ai.