Nesër është parashikuar mbledhja e parë për këtë vit e Komisionit të Reformës Zgjedhore që do të drejtohet nga Enkelejd Alibeaj nga krahu i opozitës edhe pse grupi i Sali Berishës është kundër dhe Damian Gjiknuri nga shumica socialiste. OSBE në një postim në faqen zyrtare thotë se “përkushtimi ynë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë mbetet i fortë”.
Gjithashtu kërkon qetësi dhe dialog në komisionet parlamentare nisur nga rasti që ndodhi dje i përplasjes verbale në kufijtë e fizikisht mes Gazment Bardhit dhe Flamur Nokës që i bllokuan drejtimin e komisionit të Medias Flutura Açkës.
“Çmojmë partneritetin tonë me Kuvendin e Shqipërisë! U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të kontribuojnë për një proces parlamentar të qetë e funksional. Punimet e papenguara dhe dialogu konstruktiv në komisione janë thelbësore. Përkushtimi ynë për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe në kohë mbetet i fortë. Angazhimi pozitiv i të gjithëve është vendimtar për të pasur sukses” thuhet në reagimin e OSBE.