Komisioni i Reformës Zgjedhore dështoi në mbledhjen e sotme. Grupi i PD-së i drejtuar nga Gazment Bardhi e bllokoi nisjen e mbledhjes për shkak se kërkojnë që të largohet Enkelejd Alibeaj si bashkëkryetar dhe në vendin e tij të emërohet Oerd Bylykbashi.
Por Partia Socialiste e refuzon këtë kërkesë. Përballë kësaj situate, eksperti i çështjeve zgjedhore Kristaq Kume në një intervistë me “Skype” për “5Pyetjet.al” propozon një zgjidhje që i nxjerr palët nga kriza aktuale.
“Propozimi im është që komisioni, që sot ka 18 veta, 9 opozita dhe 9 shumica, t’i marrë vendimet jo me shumicë të thjeshtë, sikur është sot, por me shumicë të cilësuar. Që do të thotë, plotësohet kushti për të qenë vendimmarrje konsensuale sikur e kërkon Kushtetuta dhe ligji për vendimmarrjen përfundimtare me 84 vota.
E dyta komisioni të mos ketë bashkëkryetar me veto, por të drejtohet nga një anëtar, i ndonjë partie të vogël, sepse detyra e kryetarit do të jetë vetëm për administrimin e punës.
Kjo largon problemin që kërkon opozita, për drejtimin në nivelin e bashkëkryetarit. Mund të ndodhë që kjo luftë bëhet që të mos bëhet asnjë ndryshim në kodin zgjedhor” tha ai.
Më tej, Kume thotë se Parlamenti duhet të miratojë me patjetër ndryshimin e hersit që kërkoi Gjykata Kushtetuese, pasi e shfuqizoi duke e hequr, në të kundërt, tha ai, zgjedhjet e vitit 2025 mund të shpallen të pavlefshme.
“Nëse nuk miratohet, humbësi, ka shumë mundësi dhe hapësirë për ta atakuar zgjedhjet e bëra pa këtë ndryshim. Nëse nuk bëhet ndryshimi sikur e kërkon Gjykata Kushtetuese, do të thotë se votimi parapëlqyes të jetë pa asnjë efekt dhe vlerë.
Ndërkohë që e kemi të shkruar në Kushtetutë që zgjedhësit kanë të drejtë për votën parapëlqyese. Dhe duke u bërë nul kjo, kushdo mund të thotë se kemi shkelje flagrante të kushtetutës dhe produkti të konsiderohet jo kushtetues” tha ai për “5Pyetjet.al”.