-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Dhuna mes të rinjve dhe përgjegjësitë e prindërve

Kryesoret

“Të gjithë, e sidomos adoleshentët, kanë nevojë për një sistem funksional të edukimit, i cili, në njërën anë, i mëson ata se dhuna nuk është zgjidhje e problemeve dhe, në anën tjetër, i mban qytetarë të përgjegjshëm dhe reagues ndaj dhunës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Artan Krasniqi, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, në këtë qëllim duhet të angazhohen si prindërit, ashtu edhe shkollat.

Mendim të ngjashëm ndan edhe psikologia Teuta Danuza.

“Prindërit, sot, duhet të kalojnë shumë e më shumë kohë me fëmijët e tyre”, thotë ajo.

Fundjavën që shkoi, në Kosovë u raportua për vdekjen e Lulzim Fejzullahut, 18 vjeç, i cili paraprakisht u rrah nga dy persona. Ngjarja ndodhi në komunën e Podujevës – pjesa verilindore e vendit – më 14 janar.

Policia konfirmoi gjashtë ditë më vonë se viktima ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa autorët e dyshuar për rrahjen – të dy të mitur – janë ndaluar.

Nga raportimet e disa mediave në Prishtinë, zënka mes të rinjve nisi në një floktari, ndërsa motivet që çuan në rrahjen me mjete të forta, nuk dihen.

Gati 2.000 raste me të mitur si kryes të veprave penale

Të dhënat që siguroi Radio Evropa e Lirë nga Policia e Kosovës tregojnë se në vitin 2023 janë evidentuar gjithsej 1.992 raste, ku të dyshuar për vepra të ndryshme penale kanë qenë të mitur të moshës 14 deri në 18 vjeç.

Në mesin e tyre dominojnë 438 raste me lëndime trupore dhe 193 raste për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas policisë.

Sipas disa të dhënave të publikuara nga OBSH-ja në tetor të vitit 2023, mbi 176.000 vrasje ndodhin çdo vit mes të rinjve 15-29 vjeç, që nënkupton 37% të numrit total të vrasjeve në të gjithë botën.

“Vrasja është shkaku i tretë kryesor i vdekjes së njerëzve të moshës 15-29 vjeç dhe shumica dërrmuese e vrasjeve përfshijnë viktima meshkuj”, vlerëson OBSH-ja.

Çka çon në dhunë mes të rinjve?

Dhuna që përjetojnë në shtëpi, bën fëmijë të dhunshëm, thonë nga organizata “Terre des hommes Kosovo”, e cila merret me mbrojtjen e fëmijëve.

Pajtim Zeqiri nga kjo organizatë thotë se, në bazë të hulumtimeve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, 72% e fëmijëve në Kosovë përjetojnë dhunë fizike ose psikologjike në familje.

“Tendenca që fëmija, pastaj, ta përdorë dhunën si mjet të zgjidhjes së konfliktit me të tjerët, në këtë rast me bashkëmoshatarët, është shumë e lartë”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se neglizhenca e prindërve, në kuptimin e përkujdesjes, është “një nga problematikat më të mëdha në kuptimin e trajtimit dhe menaxhimit të rasteve të fëmijëve që kanë tendenca të shfaqjes së agresivitetit dhe dhunës”.

Ndiqni këtu artikullin e plotë: REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit