Një ngjare e rëndë kriminale është parandaluar në Lezhë.
Sipas informacionit të policisë, një 45-vjeçar banues në Lezhë montonte mina me telekomandë (me lëndë plasëse C4), për t’ua shitur grupeve kriminale.
Uniformat blu dyshojnë se ngjarja lidhet me arrestimin e një të riu 3 ditë më parë të cilit ju gjetën me vete 3 mina me telekomandë.
Ndërkohë 45-vjeçari, i identifikuar si Ilir Gjoka, ka rënë në pranga dhe u sekuestruan 3 minat që iu gjetën me vete.
Njoftimi i policisë:
Në qytetin e Lezhës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin e dyshuar Ilir Gjoka., i cili mund të transportonte minat me telekomandë dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 3 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë, dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale, për kryerjen e krimeve kundër personit.
Në përfundim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë shtetasi I. Gj., 45 vjeç, banues në Lezhë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 minat (të montuara me celularë) dhe sasia e cannabisit.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.