Vajza e politikanit serb Nikola Sanduloviç, Klara ditën e sotme bëri homazhe te kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Për këtë veprim, i ati i saj pak javë më parë u rrah brutalisht nga shërbimi sekret serb BIA. Pasi bëri homazhe, Klara Sanduloviç tha se babai i saj është i vetmi politikan serb që promovon paqen e prosperitetin dhe se politika e tij bazohet në falje dhe paqe.
“Vendosa të vij këtu dhe të shpreh ngushëllimet e mia për të gjitha viktimat e paligjshme. Dhe t’ia shpreh brezit tim që ne duhet të ndalojmë urrejtjen dhe duhet të falim njëri-tjetrin dhe gjithashtu duhet të kërkojmë falje dhe që gjëra të tilla që ishin në të kaluarën të mos përsëriten dhe asnjë fëmijë të mos vritet në të ardhmen” tha ajo.
Foli edhe për të atin. “Vitin e kaluar ai erdhi në këtë vend dhe shprehi ngushëllimet e tij për të gjitha viktimat e pafajshme që u vranë gjatë luftës. Ky ishte një akt shumë paqësor dhe qeveria serbe arriti në përfundimin se ky ishte krim e kjo ishte gjuhë e urrejtjes, kështu që vendosa të bëhesha njëjtë kriminel si babai im”.
Për të bërë homazhe shkoi edhe avokati i tij, Çedomir Stojkoviç i cili la një letër pranë varrit të Blerina Jasharit. “Urrejtja vdes. Ti jeton përgjithmonë. Një mijë lot për një mijë vjet paqe. Dhe miliona shpresa dhe ëndrra. Të cilat fillojnë me fjalën “Më fal”, shkruhej në letër.