Në vitin 2023, vendi ynë ka importuar 26,8 miliardë lekë (255,7 mln euro) produkte farmaceutike, por vetëm rreth 12 miliardë lekë ose 44% janë mbuluar nga fondi i rimbursimit që vihet në dispozicion nga qeveria shqiptare.
Në vitin 2023, importi i produkteve farmaceutike ndoqi një trend rënie pas rritjes së pazakontë gjatë pandemisë Covid-19.
Shqiptarët mbajnë një barrë të rëndë financiare për shërbimet shëndetësore, edhe pse në vendin tonë ato ofrohen falas. Në listat e rimbursimit është një gamë e ulët e produkteve farmaceutike dhe qytetarët shpesh përdorin fondet e veta për blerjen e medikamenteve.
Të dhëna ndërkombëtare tregojnë se vendi ynë ka ende një konsum të ulët për frymë të produkteve farmaceutike, por në të njëjtën kohë përballen me shpenzime të larta nga xhepi në krahasim me Rajonin dhe vendet e tjera të Europës.
Nga viti 2013 deri më 2022, importet e produkteve farmaceutike në vlerë u rritën me 11,3 miliardë lekë, ndërsa fondet për rimbursimin e medikamenteve u rritën me 3 miliardë lekë, sipas të dhënave zyrtare. Kjo ecuri tregon se shpenzimet nga xhepi për blerjen e produkteve farmaceutike janë rritur vitet e fundit.
Vlera e importeve të produkteve farmaceutike ka ardhur në rritje të shpejtë nga viti në vit, sidomos pas pandemisë COVID-19, e cila ka rritur barrën e sëmundjeve në popullatë.
Më 2022, importet e produkteve farmaceutike arritën në 28 miliardë lekë, rreth 270 milionë euro, ndërsa fondi shtetërorë rimbursimit ishte 11,4 miliardë lekë.
Të dhënat tregojnë se pacientët shqiptarë financuan nga xhepi për blerjen e medikamenteve 61% të vlerës së produkteve farmaceutike të importuara më 2022 dhe 55% më 2023 për shkak të uljes së importeve./ Monitor