Shqipëria po shkon drejt një tranzicioni demografik. Deri në vitin 2070, pesha e të moshuarve pritet të arrijë në 40 për qind të popullsisë në krahasim me vetëm 17 për qind sot.
Në të njëjtën periudhë popullsia e në moshë pune (25-64) parashikohet të bjerë nga 54 aktualisht në 41 për qind më 2070. Në rishikimin e fundit të Marrëveshjes me Shqipërinë Fondi Monetar vë në dukje se, gjeneratat e ardhshme të pensionistëve shqiptare rrezikojnë varfërinë për shkak se nuk përmbushin kriteret për përfitimin e pensionit të plotë.
Informaliteti në tregun e punës sot do të shfaqet me pasoja negative në të ardhmen afatgjatë. Fondi vë në dukje se në qershor 2022, 1.7 milionë njerëz ishin të moshës 15-64 vjeç, prej të cilëve rreth 38 për qind po kontribuonin tek skema e pensioneve dhe pjesa tjetër 60 për qind nuk ishin as kontributorë dhe as pensionistë dhe rreth 4 për qind ishin pensionistë.
Ndër të vetë-punësuarit, një numër i vogël po kontribuon në skemën rurale, ndërsa të vetë punësuarit e tjerë kontribuojnë në sigurime (rreth 10 për qind e totalit të kontribuuesve në skemën e pensioneve). Shkalla e ulët e mbulimit të kontribuuesve shton rrezikun për pensione të pjesshme ose sociale në të ardhmen.
Gjithashtu tregu i punës vuan nga nën-raportim i pagave reale duke u bërë shkak për shmangie të kontributeve dhe me vonë mungesën e të ardhurave në pleqëri./ Monitor