Shqipëria i kërkon Britanisë së Madhe të ekstradojë Donald Hoxhën, i cili dyshohet për përfshirje në vrasjen e Roland Rexhepit, ish-agjenti i Antidrogës i thirrur me nofkën “Doda” më 2009 në Elbasan. Hoxha ishte 18-vjeç në kohën e vrasjes.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 29 korrik 2009 në lagjen Vullnetari në Elbasan, ku ish-punonjësi i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë Elbasan, mbeti i vrarë pas disa të shtënave me armë. Rexhepi është ekzekutuar sapo ka dalë nga pallati i tij, duke ju drejtuar garazhit për të marrë makinën dhe larguar në punë.
Në këtë moment i është afruar me motor njëri nga autorët e krimit, Armando Llakaj, i cili ka hapur zjarr në drejtim të Rexhepit duke e lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje të rëndë që erdhi si rezultat i përplasjes mes grupit të Çapjave dhe familjes Mema në Elbasan, dy prokurorët e Elbasanit Milan Laskaj dhe Ritvan Suka, mundën të sigurojnë prova dhe arrestojnë Marjus Tafën dhe Armando Llakajn. Të dy këta persona konsideroheshin në 2009 si njerëz të afërm të familjes Çapja, ndërsa tashmë janë dënuar me 24 dhe 23 vite burgim, ku vijojnë të vuajnë dënimin në burgun e Peqinit.
Ndërkohë, pas 12 vite nga kjo ngjarje Prokuroria ka mundur të identifikojë dhe t’i komunikojë arrestin Florind Shabanit, njërit nga bashkëpuntorët në këtë vrasje. Identifikimi i Shabanit është kryer duke analizuar një profil ADN-je që është gjendur në një kapuç dhe një bisht cigare. Ky profil ka dalë i njëjtë me atë që ka dhe Florind Shabani.
Vrau ish-oficerin poshtë shtëpisë, prokuroria kërkon ekstradimin e Donald Hoxhës