-sidi education-spot_img
12.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Fondacioni “Hasan Tahsini” ekspozitë me 80 foto për genocidin ndaj shqiptarëve të Çamërisë

Kryesoret

Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” në kuadër të 80 vjetorit të genocidit çam organizoi një ekspozitë pranë Kalasë së Tiranës me dëshmitë e masakrave. 80 fotografi që dëshmojnë vuajtjet dhe rrugëtimin e çamëve nga Greqia drejt Shqipërisë.

Drejtuesi i Fondacionit, Alket Veliu u shpreh se çështja çame ka të bëjë me një të drejtë ndërkombëtare dhe nuk mund të përdoret për konsum politik. Më tej, kërkoi nga qeveria shqiptare që ta ngrejë këtë çështje përballë Greqisë dhe jo të ketë heshtje që i shërben Athinës.

Kemi ende dëshmitarë të gjallë. Por kemi një heshtje totale, heshtje e cila kërkohet nga shteti grek dhe po zbatohet edhe në Shqipëri. Ne kemi njerëz të mbijetuar që e kanë parë me sytë e tyre atë genocid.

Ata kërkojnë të kthehen në shtëpitë e tyre. Ne nuk po kërkojmë ndryshim kufijsh. Asnjë qeveri nuk e ka shtruar dhe nuk e ka pasur çështjen çame në tavolinën e bisedimeve me Greqinë” tha ai.

Studiuesi i çështjes çame, Hajredin Isufi është një nga dëshmitarët e gjallë të genocidit. Ai ishte 10 vjeç kur u largua nga shtëpia për të ardhur drejt Shqipërisë. Kujton hapat e rrugës së gjatë në shi dhe diell.

Unë kam qenë 10-12 vjeç kur jemi larguar dhe kemi ecur në këmbë me orë të tëra, ku na gjente nata nuk na gjente dita. Qiellin kishim strehë. Secili nga këta njerëz ka një histori. Trishtimi, emocioni dhe frika që ndjente një fëmijë 10 vjeç. Ajo dramë, që ngryseshim dhe nuk e denim si do të gdhinim. Çdo dramë krijohej jo vetëm tek të mëdhenjtë, por edhe tek të vegjlit”.

Tregoi edhe një nga shumë historitë tragjike. “Është një ngjarje origjinale. Një vajzë, nuse, me  një fëmijë në gji, për t’i shpëtuar ndjekjes hipi mbi minaren e xhamisë. Edhe ata u ngjitën e ndoqën dhe I kapën fëmijën, e hodhën. Nusja tha, më jepni një thikë të vras veten. Kur më tregonte plaku këtë histori i dridhej buza”.

Hajredin Isufi me një arkivë të jashtëzakonshme në shtëpi që dokumenton genocidin pas shumë vitesh u rikthye në shtëpi, por duke ndryshuar identitetin dhe vendlindjen për shkak se nuk lejohej të futej nga shteti grek.

Kur kam shkuar për herë të parë në 1989, pas 50 vitesh kam ndryshuar origjinën dhe vendlindjen. Mësova edhe greqisht. Nuk e paraqisja veten si çam por nga Vlora. Shtëpinë e gjeta gërmallë. Sa herë shkoj trishtohem, më krijon emocion, kujtoj dramën dhe vuajtjet”.

Në fund ka dy mesazhe. “Humbëm Çamërinë, por të mos humbasim historinë. Po i harruam, dhimbjet shpirtërore përsëriten, por nuk duhet të hakmerremi” tha ai.

Në vitin e 80-vjetorit të genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” do të zhvillojë disa aktivitete të rëndësishme për të kujtuar atë që ka ndodhur në Çamëri për t’i thënë “JO” harresës dhe për të kërkuar drejtësi për shqiptarët e Çamërisë. Ekspozita do të jetë e hapur edhe të premten dhe të shtunën.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit