-sidi education-spot_img
22.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ndryshimet klimatike, çfarë rrezikon Shqipëria?

Kryesoret

Viti që lamë pas ishte më i ngrohti, sipas të dhënave globale të temperaturës, të regjistruara nga viti 1850. Ky dhe shumë tregues të tjerë kanë ngritur shqetësimin se po ecim në një terren të rrezikshëm, ku pasojat do të janë të mëdha, ndaj vëmendja është te masat lokale për të zbutur efektet.

Viti 2023 u konfirmua si viti më i ngrohtë kalendarik sipas të dhënave globale të temperaturës që nisin nga 1850. Ky vit kishte një temperaturë mesatare globale prej 14.98 gradë celsius apo 0.17 gradë më shumë se viti tjetër me vlerën më të lartë, që është 2016.

Temperaturat në Europë ishin mbi mesataren për 11 muaj gjatë vitit 2023 dhe shtatori ishte muaji më i ngrohtë në histori. Këta janë disa nga treguesit që Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus, komponenti i vëzhgimit të Tokës i programit Hapësinor të Bashkimit Europian, publikoi në ditët e para të janarit.

Bujqësia, kulturat që “kërcënojnë” ndryshimet klimatike dhe masat

Bujqësia është një nga sektorët që ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ndryshimet klimatike. Kjo ka të bëjë si me ndryshimin e temperaturave dhe produktivitetit që kanë kultura të caktuara nën efektin e këtyre zhvillimeve, ashtu edhe nga dëmtuesit apo sëmundjet që u kanosen.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tha për “Monitor” se ndikimet nuk janë të tilla që të detyrojnë rishikimin e hartës së produkteve në vend, por ndikime në kultura të veçanta si efekt i temperaturave pritet që të ketë.

Të paktën 9 nga 10 vitet më të nxehta që prej vitit 1850 kanë ndodhur në dekadën 2011-2020. Nga viti 1980-2020, temperatura mesatare vjetore e zonës së Tiranës është rritur me pothuaj 2℃.

Të dhënat historike të 30 viteve të fundit tregojnë rritje të numrit të ditëve me temperatura mbi 35℃, dhe të netëve me temperatura mbi 20℃.

Pranverat e nxehta pritet të kenë efekte negative në rendimente sidomos gjatë verës ose gjatë pranverës në kulturën e ullirit” nënvizon Ministria. Në kushtet kur temperaturat e larta apo fenomene të tjera të lidhura me ndryshimet klimatike nuk mund të ndalohen, Ministria e Bujqësisë e ka vendosur fokusin te një sërë masash ku së pari një projekt që po mbështetet nga Banka Botërore

“Kemi diskutuar dhe po vëmë në zbatim me Bankën Botërore një komponent të veçantë me vlerë prej 29 milionë eurosh i cili i drejtohet pikërisht zvogëlimit të efekteve të ndryshimeve klimatike dhe rritjes së efektivitetit të përdorimit të burimeve ujore në të gjithë vendin.

Kështu së bashku me Bankën Botërore do të ndërtojmë për herë të parë Platformën dixhitale për Bujqësinë inteligjente për klimën.

Kjo platformë grumbullon informacione për llojin e tokës, të dhëna hidrometeorologjike, praktikat bujqësore (përdorimi i plehëruesve, pesticideve, ujitjen etj.) dhe synon drejtimin e fermerëve në praktika më të qëndrueshme bujqësore”, – pohon MBZHR.

Parashikohet gjithashtu ndërhyrja në 12 mijë e 300 ha në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit dhe do të integrojmë inovacione teknologjike me energji të rinovueshme, duke ulur gjurmën karbon të bujqësisë.

Një tjetër zhvillim është ai i kalimit në furnizimin me energji diellore për rreth 1/3 e nevojave të hidrovorëve, duke instaluar 27 paneleve diellore, me fuqi të instaluar 2000 kWp, prodhim energjetik vjetor 2740 mWh.

“Në kuadër të granteve të WBIF (Western Balkans Investment Framework) po realizojmë studimin e fizibilitetit për përmirësimin e mbrojtjes nga përmbytja në lumenjtë Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosa, për të përcaktuar me anë të projekteve specifike masat që do të merren në secilin prej rasteve. Së shpejti, do të fillojmë një analizë të sigurisë së digave të rezervuarëve me një studim parafizibiliteti për rreth 430 diga”, – nënvizon Ministria.

Plani i BSH për vlerësimin e rreziqeve

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë që sjell tema e ndryshimeve klimatike, Banka e Shqipërisë ka reflektuar në strategjinë e saj disa nga masat që parashikon të marrë në këtë drejtim.

Të tilla janë nga ngritja e kapaciteteve brenda bankës sa i takon aspektit modelues dhe analitik e deri te vlerësimi dhe matja e riskut apo përgatitja e një metodologjie për një vlerësim nga lart-poshtë të rreziqeve tranzitore.

Po kështu, BSH parashikon që pas përgatitjes së një metodologjie të provës së rezistencës për vlerësimin e rreziqeve tranzitore, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2024, Departamenti i Stabilitetit Financiar do të kryejë testin e parë nga lart-poshtë të provës së rezistencës për vlerësimin e rreziqeve tranzitore.

Në vazhdim të kësaj, sipas planit të veprimit, gjysma e dytë e vitit 2025 do t’i kushtohet provës së parë të rezistencës të rrezikut fizik, i cilido të ndihmojë në ekzaminimin e metodologjisë dhe dhënien e rezultateve të para sasiore për efektet e rreziqeve fizike në sektorin bankar.

Sa u takon bankave të nivelit të dytë dokumenti nënvizon se Departamenti i Mbikëqyrjes do të angazhohet në nxjerrjen e një udhëzuesi me pritshmëri rregullatore për rrezikun klimatik, me qëllim që të nxisë bankat të përfshijnë rreziqet klimatike në kuadrin e tyre të menaxhimit/administrimit të rrezikut.

“Ky udhëzues duhet të jetë i bazuar në parime dhe jo i detyrueshëm për bankat, dhe do të shërbejë si bazë për dialogun mbikëqyrës.

Ai do të rrisë ndërgjegjësimin e bankave në lidhje me rrezikun klimatik dhe do të vendosë disa pritshmëri se si bankat duhet të integrojnë rreziqet klimatike në kuadrin e përgjithshëm të administrimit të rrezikut, nën kuadrin aktual të kujdesit”, – thuhet në dokument./Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit