Mbretëria e Epirit nën Pirron ose Burrin siç quhet në letërsi nga 307-277 pes dhe në Mesjetë shekujt 14-15 me Despotatin e Epirit nën Gjin Bua Shpaten e pasardhësit e tij, kurse në Mesjetën e vonë nën Ali Pashë Tepelenën.
Për shtrirjen e saj në dialektin e tyre ata të thonë : “ Çamëria zihet (quhet) nga lumi i Shalësit (Pavllo) në veri jaram (deri) tek Gurët e Zezë nën Prevezë (në jug)”. Këte e pohojnë të gjithë autorët grek të lashtësisë e Mesjetës: Straboni – Ptolemeu – Herodoti – Tuqiditi – Plini e Stefan Bizantini e deri tek studiuesit më afër kohës sonë si Pukëvili – Liku – Brukon – Boe – Lir – Han – Dozon si dhe akademiku ynë Eqerem Çabej etj.
Grekët e quajtën vendin Epir që do të thotë tokë – stere – kontinent sepse vetë ata jetonin në ishujt e shumtë të Egjeut dhe popullsinë e Epirit Varvaris ose Barbarë që don me thanë që nuk flasin gjuhën e tyre greke, por një gjuhë të ndryshme nga e tyrja.
Në këte shtrirje gjeografike janë 9.203 km² bashkë me ujrat e mbrendshëm, por bërthama tansisht shqiptare jeton në 2.550 km². Në vitin kur filluan problemet në këte krahinë, 1913, jetonin 50.000 myslimanë dhe 40.000 ortodoksë nga të cilët vetëm 18.000 flisnin gjuhën greke.
Sot kuptohet me rritjen e popullsisë 165.000 shqiptarë në Çamëri plus 300.000 në Turqi si dhe plus ata që jetojnë në Shqipëri dhe diasporë (SHBA) bëhen gjithsej, kund tek 700.000 çamë gjithsej.
Ka një reliev të larmishëm me bregdet (me skela, limane stacione balneare e kripore) me fusha dhe kodra të shfrytzueshme, male që e mbrojnë nga ernat e lindjes e me një klimë mesdhetare që lejon kultivimin e ullinjve, agrumeve, pemëve frutore, vreshtave, drithnave dhe bimëve industriale. Ka 343 ditë me diell ose mbi 2.700 orë me diell në vit, me temperaturë mesatare vjetore 13 – 15⁰C. dhe në bregdet 17 – 18⁰C. që janë më të larta se në të gjitha trevat shqiptare.
Rrjeti hidrografik asht mjaft i dendun me lumenjt : Kalama ose Thiami 115 km që i ka dhanë edhe emrin krahinës, lumi i Artës 110 km në kufirin më jugor, lumi i Llurit 80 km, Lumi i Zi ose Akeroni 53 km , Llakat e Sulit dhe Lumi Pavell ose i Shalësit në veri me 50 km gjatësi.
PIKËTAKIMET E QYTETIT TË SHKODRËS ME ÇAMËRINË
Pa u zgjatë kishe me pasë dëshirë me dalë pak jashtë teme me disa fakte që tregojnë lidhjen e këtyre dy krahinave. Këto dy ekstremitete të Shqipnisë tonë hallemadhe kanë kenë gjithmonë prè e lakmive të fqinjve tanë veriorë e jugorë, Shkodrën sa për famën e kulturën e saj dhe që e donin për kryeqytet dhe Çamërinë për pasuritë, begatinë, klimën e bregdetin e saj.
Çamëria asht temë e përhershme dhe shqetësim i madh i të gjithë rilindasve tonë ku ndër ta shquhen Pashko Vasa, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Ndre Mjeda etj.
Nga lashtësia na vijnë të dokumentuara Lidhjet e Burrit – Pirros së Epirit në jug me Mbretërinë e Ardianëve në veri.
Pashko Vasa më 1879 shkruan për gjithë ata burra që e bënë çështje të vetën lirinë dhe pavarësinë e Greqisë si Marko Boçari dhe Foto Xhavella me familjarët e bashkëfshatarët e tyre.
Mjeda që në moshën 18 vjeçare në poezinë “Vllavrasësi” ngjarjet i vendos jo pa qëllim në Çamëri.
Në këte kohë bandat greke të Delijanaqit masakronin popullsinë çame.
Edhe tek poezia “Meyerling” ai heq nje paralele në mes të dhimbjes së Elizabetës për të birin e vrarë me dhimbjen e nënave çame për bijtë e tyre të masakruar nga greku.
Në ciklin e gjatë me poezi “Iliria e Epirit” tek poemat “Lissus” dhe “Scodra” thotë për Teutën që rrjedh nga perënditë e Dodonës dhe për tempullin pagan të tij.
Edhe në abetaret apo librat e këndimit të shkruara nga ai apo edhe në bashkëpunim me Xanonin, para dhe pas Konferencës së Ambasadorëve jep malet, lumenjtë, liqenet dhe qytetet e Çamërisë si pjesë integrale të Shqipnisë.
Vepra shumvëllimshe e studiuesit shkodran Mentor Quku zbërthen më së miri jetën dhe veprën e këtij poeti kombtar dhe qyteti ynë duhet ti jetë mirënjohës për këte kontribut.Edhe studiuesi i kohëve tona Zija Shkodra na flet për kontributin jo vetëm të popullsisë së krishterë, por edhe të pjesës myslimane që luftoi me në krye Hasan Çaparin në kryengritjet kundër turkut.
Por njëkohësisht duhet thanë se edhe burrat e Çamërisë ja kanë kthyer Shkodrës miqësinë me të njajtën zemërgjansi. Ja disa fakte që flasin shumë për çdo periudhë që kaloi populli ynë.
Më 1870 gjejmë në Shkodër si përgjegjës të bibliotekës së vezirëve dhe si mësues të fëmijëve të tyre, të atin e Hoxhë Tahsinit, Osman Efendi Rushitin.
Edhe vetë Hasan Tahsini dokumentohet të ketë ardhur dy herë si mik në familjen e vjetër dhe me tradita të Tabakëve.
1.Në vargjet e një kange popullore Marko Boçari e këshilloi Ali Pashë Tepelenën për tu bashkuar me Bushatllinjtë për të dërmuar Turqinë e për ta bërë Shqipërinë. Ja vargjet :
1/ “ Medet për vezir Alinë
Që nuk e dëgjoi Boçarinë
Të mblidhej me Bushatllinë
Për ta bërë Shqipërinë”
2.Në disa vargje të këngëtarit popullor çam (anonim) jepet vizioni sa real aq dhe fisnik e dashamirës në lidhje me fqinjët:
2/ “Për të gjithë Shqipërinë
Gegërinë e Toskërinë
Nga Tivari në Janinë
Prevezë, Shkup e Prishtinë
Me gjitonët (fqinjët) miqësinë
Bashkë të shporrim Turqinë”
*Një figurë shumë interesante asht ajo e çamit me origjinë nga Parga, Kolë Arsen Idromenos. (I lindur në Shkodër me nënë nga familja e dëgjuar e Saraçëve të këtij qyteti). Kjo figurë poliedrike i dha shumë qytetit tonë, Shkodrës, si patriot, piktor i talentuar, skulptor i gurit, mermerit e drurit, fotograf, muzikant, skenograf e butaforist, arkitekt dhe urbanist si dhe xhenjer i shquar. Ai ishte edhe realizuesi i shfaqjes së parë filmike në Shqipëri në një distancë të shkurtër kohore nga shfaqja e parë e filmit në Evropë. Këtë figurë, që me plot gojë do ta quanim një ”Da Vinçi “ shqiptar, na e kanë sjellë bukur artistikisht, por edhe me shumë realizëm, studjuesi shkodran Mikel Prendushi në monografinë për të si dhe shkrimtari i shkodranizuem plotësisht, Skender Drini në romanin historik “ Vraje Tradhëtinë “.
Shkodra po ashtu kujton e nderon veprimtarinë e patriotit Asaf Çami (Ajdonati) i cili më 1920 ishte anëtar i Komiteti “ Mbrojtja Kombëtare e Kosovës “, komitet ky i krijuar e veproi në Shkodër nga Hoxhë Kadriu.
Edhe Arshi Pipa një personalitet i shquar i kulturës dhe letrave shqipe, si dhe një vatran e kryetar i saj për një periudhe kohore, në një takim me intelektualët e qytetit tonë ka thënë : “Jam me origjinë nga Çamëria, prindërit e mi janë vendosur në Libohovë e më vonë në Shkodër”.
*Gjithashtu Shkodra nuk harron veprimtarinë e gjeneralit Hilmi Seiti, një figurë karizmatike, siç na e përshkruan në kujtimet dhe intervistat e lëna nga At Zef Pllumbi, i cili dëshmon edhe për helmatisjen e tij nga rregjimi i kaluar që e provon me rrëfimet e të penduarve në burg. Po kështu Shkodra ka vlerësuar edhe kontributet e familjeve çame: Demi-Sejko-Minina-Jasini –Spada e shumë të tjera.
Me shumë rëndësi ka qenë edhe fjala e Kryetarit të “Vatrës” Gjon Buçaj në manifestimin popullor të Qafë Botës më 25 qershor 2011 ku thotë: “Krimi i grekëve ndaj shqiptarëve, sidomos pjesës myslimane të saj. Greqia mban peng në ndërgjegjen e saj fajin e krimit antinjerzor, duke dhunuar e vrarë shqiptarët, përlyen kështu emrin e saj si “djep i demokracisë”. Gjaku nuk harrohet, por kur gjaksi kërkon falje, ajo edhe pranohet. “Burrë është ai që fal dhe jo ai që vret”. Ajo duhet tu japë çamëve pasaportat dhe tu kthejë pronat. Ne u lejojmë grekëve ngritjen e varrezave të tyre në tokën tonë dhe ajo nuk lejon që çamët të vizitojnë varret e të parëve të tyre”./ DITA