Serbët e zhvendosur nga Kosova vendosën një bllokadë në qytetin e Rudares, në jug të Serbisë, pranë pikës kufitare Merdare me Kosovën. Trafiku është bllokuar nga një kamion që ka bllokuar rrugën.
Sipas mediave, organizator i bllokadës është shoqata e serbëve të shpërngulur nga Kosova. Kalimi është i bllokuar për të gjitha veturat, ndonëse fillimisht ishte paralajmëruar se nga ora 12:00 deri në orën 15:00 do të pengohet kalimi i veturave që drejtohen nga shqiptarë të Kosovës.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, u ka bërë thirrje udhëtarëve që, për shkak të bllokimit të rrugës, të përdorin pikëkalimet kufitare tjera për qarkullim.
Në Kosovë sërish janë ngritur tensionet pas vendimit të BQK që nga 1 shkurti valutë e vetme për transaksionet e pagesave do të jetë euro, që nënkupton heqjen e dinarit serb.
Po ashtu, më 2 shkurt, në një aksion policor, autoritetet kosovare mbyllën tri komuna në Pejë, Istog dhe Klinë, të cilat funksiononin paralelisht në sistemin serb.