Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të mërkurën se një marrëveshje armëpushimi dhe lirimi i pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit janë ende të mundura, megjithëse se qëndrimet e të dyja palëve për kushtet kryesore për një marrëveshje janë shumë larg njëri-tjetrit.
Sekretari Blinken ishte në rajon në përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje të tillë, por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu më herët hodhi poshtë propozimin e fundit të Hamasit për një armëpushim për lirimin e personave që ende mbahen peng në rajon.
Zoti Netanyahu përsëriti zotimin për shkatërrimin e Lëvizjen Islamike Palestineze, duke thënë se për Izraelin nuk ka alternativë tjetër, përveç eliminimit të Hamasit.
“E nesërmja është dita pas eliminimit të Hamasit. Të gjithë Hamasit”, tha ai në një konferencë për shtypin, duke këmbëngulur se fitorja e plotë kundër Hamasit ishte e vetmja zgjidhje për luftën në Gaza.
Në propozimin e Hamasit, i cili erdhi si përgjigje ndaj një propozimi të hartuar nga Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Katari dhe Egjipti, kërkohet që luftimet të ndalen për katër muaj e gjysmë, periudhë gjatë së cilës të gjithë pengjet do të liroheshin, Izraeli do të tërhiqte trupat e tij nga Rripi i Gazës dhe do të arrihej një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës.
Sipas këtij propozimi pengjet do të liroheshin në këmbim të qindra palestinezëve të burgosur nga Izraeli, përfshirë militantë të lartë.
Izraeli e ka bërë shkatërrimin e Hamasit një nga objektivat e tij kryesorë të luftës dhe propozimi i Hamasit do ta linte atë në pushtet në Gazë dhe do ta lejonte të rindërtonte aftësitë ushtarake.
Por zoti Netanyahu që vazhdon të humbasë mbështetje në Izrael, është kundër një shteti palestinez dhe koalicioni i tij qeverisës i vijës së ashpër mund të dështojë nëse krijohet përshtypja se ai po bën shumë lëshime./VOA