Kanë dalë në dritë detaje të reja nga plagosja me armë e Selami Brahimit një natë më parë në Shkodër.
Mësohet se 60-vjeçari ka deklaruar se nuk ka arritur ta dallojë automjetin dhe personin që ka qëlluar ndaj tij, dhe se nuk ka asnjë informacion në lidhje me plagosjen që iu bë.
Brahimi ka thënë se i ka shpëtuar vdekjes për mrekulli, pasi në momentin kur ndaj tij u qëllua me armë ky i fundit ka kthyer kokën në sekondën e fundit dhe ka mundur ti shpëtojë plumbit, duke mos u qëlluar në kokë por në pjesën e sipërme të fytyrës.
Ai gjithashtu shpjegoj se në momentin e atentatit ka qenë duke lëvizur në këmbë, pasi pak më parë kishte lënë mbesën e tij në një pallat aty afër.
“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë.
Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askënd dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, mësohet të ketë thënë i plagosuri.
Sipas informacioneve të deri më tanishme ndaj 60-vjeçarit është qëlluar afërsisht 10 herë me kallashnikov, por vetëm një plumb ka kapur në shenjë, në pjesën e fytyrës, dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Deri më tani policia vazhdon ende hetimet, autorët dhe mjeti me të cilin lëvizën nuk janë identifikuar ende. Ndërkohë nga RENEA janë shoqëruar disa persona.