Kryeministri Edi Rama ka folur sot për administratën publike si një nga pikat kyçe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian duke i cilësuar ata si një skuadër e ekpit kombëtar.
Rama tha se kjo skuadër nuk do të sjellë fitore të lumtur për një natë por do të sjellë fitoren e Shqipërisë.
“Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë më parë mundësinë që ka sot dhe nuk ka arritur të jetë vendi ku shteti është ai që u jep të gjithë qytetarëve mundësinë që të bashkëjetojnë në një rend ligjor të sigurt të mirëqeverisjen dhe të gëzojnë lirinë e konkurrencës me të drejtën e meritës.
Sot Shqipëria e ka këtë mundësi reale praktike konkrete e prekshme me sy sepse horizonti i bashkimit përfundimtar me familjen evropiane është një realitet konkret. Ajo çka lidh këtë parantezë me ju është se për ta realizuar këtë arritje historike administrata publike është faktori kyç i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm.
Në këtë mënyrë do të përcaktohet edhe shpejtësia me të cilën Shqipëria do të hyjë në BE, por edhe cilësia e jetës demokratike e institucioneve funksionimit të shtetit dhe garancive për çdo individ në këtë vend. Ky është një fakt. Nga çdokush varet një grimcë e tërësisë së punës së jashtëzakonshme që duhet të bëjë Shqipëria drejt BE-së.