Pak ditë më parë Shqipëria mësoi kundërshtarët për Ligën e Kombeve që do të luhet këtë vjeshtë. Ukraina, Çekia dhe Gjeorgjia do të jenë kundërshtarët e kuqezinjve, por si mund ta vlerësojmë shortin?
Për këtë zhvilluam një intervistë me legjendën e futbollit shqiptar, Rudi Vata. Cilat janë pritshmëritë? Ish-kapiteni kuqezi thotë se kombëtarja ka uri dhe kjo është gjë e mirë, pasi tashmë pas dy herëve në Europian synohet kualifikimi në Botëror.
E ndërsa po vjen Euro 2024, një pjesë e lojtarëve kuqezinj lëvizën në ekipe të reja për më shumë hapësirë, mes tyre edhe Armando Broja.
Aventura e re nisi keq me dëmtimin e tij, por a mund të lihet jashtë Europianit nëse nuk është në formë? Vata thotë se nuk e kemi privilegjin që të lëmë jashtë një lojtar klasi të tillë që luan në kampionatin më të fortë në botë.
“Armando Broja është kualitet shumë i rëndësishëm, i niveleve shumë të larta, ka nevojë me u integruar në ekipin kombëtar. Nuk ka marrë pjesë në këto ndeshje, është lojtar i përzgjedhur i kombëtares.
Është lojtar i ligës më të fortë në botë. Nuk e imagjinoj që ekipi ynë kombëtar mundet me pasur privilegjin me anashkaluar një lojtar të nivelit Broja” tha ai. Më poshtë intervista e plotë me Rudi Vatën.