Zbardhet dinamika paraprake e vrasjes në Kurbin. Ekonomisti i një firme inertesh Selman Mihana është vrarë me armë zjarri në ambientet e kompanisë. Sipas policisë nga të shtënat është plagosur edhe pronari i firmës, Ardian Gjeloshi i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Ai ka qenë shënjestra. Autorët dyshohet se kanë qenë të paktën dy, i kanë pritur dhe ruajtur më pas i kanë qëlluar nga distanca mbi 20 herë, sipas policisë me kallash.
Zv/ drejtori i policisë, Gentian Berberi tha se objektiv ishte pronari i biznesit që mbeti i plagosur. “Sot u tentua që të vritet Ardian Gjeloshi. Dyshohet se u qëllua me automatik. Po hetojmë të gjitha konfliktet dhe mosmarrëveshjet. Objektiv i atentatit është personi që ka mbetur i plagosur” tha ai nga Gurza e Kurbinit ku ndodhi ngjarja.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale RENEA.
Tronditet Kurbini/ Policia: Shënjestër ishte pronari, por u vra ekonomisti