Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në një panel diskutimi të organizuar nga instituti “Chatham House” në Londër të Mbretërisë së Bashkuar. Aty u fol për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Kosova, tha ai ndjen rregullisht kërcënimin nga Serbia.
Ai tha se po rritet prezenca e Rusisë në Ballkan nëpërmjet Serbisë, dhe në këtë kontekst, tha se më urgjente se kurrë është nënshkrimi i marrëveshjes me Serbinë. Me refuzimin për ta bërë këtë, ai tha se Serbia e lë të hapur opsionin për ta pushtuar Kosovën.
“Një vend nuk mund t’i mbajë të gjithë prapa. Sipas meje, Serbia me regjimin e saj autoritar po e mban të gjithë rajonin prapa”, tha Kurti. “Serbia e njeh de jure Bosnjë e Hercegovinën, por jo de facto, po ashtu edhe Malin e Zi. Në rastin e Kosovës e kundërta është e vërtetë. Ata na njohin në masë të madhe de facto, por jo de jure”.
“Ekziston një tezë e përgjithshme se Serbia po mban marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën, për ta përdorur atë në agresivitetin e saj ndaj Kosovës. Por unë do të pretendoja se e kundërta nuk është vetëm më interesante, por edhe më e dobishme për ta kuptuar gjendjen aktuale të punëve.
Gjegjësisht, Serbia e përdor, e shfrytëzon agresivitetin e saj ndaj Kosovës për të mbajtur marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën. Sepse ndaj diktatorëve që nuk i besojnë askujt, duhet ta provosh veten herë pas here. Dhe unë mendoj se kjo është ajo që po bën presidenti Vuçiq. Me agresivitetin e tij ndaj Kosovës ai po përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me Kremlinin”, tha Kurti. Kryeministri tha se kërcënimet “nuk vijnë nga njerëzit, por nga lart”.