Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller ka zbardhur detaje mbi axhendën e sekretarit Blinken nesër në Tiranë. Miller njofton se vizita e Blinken në Shqipëri riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Sipas Miller, Shqipëria është një partner kyç i SHBA për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.
Zëdhënësi i DASH e konsideroi Shqipërinë një zë të fortë në mbrojtjen sovranitetit dhe lirisë së Ukrainës kundër agresionit brutal të Rusisë, si dhe një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së apo edhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020.
“Sekretari Blinken do të niset nesër për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.
Shqipëria ka qenë një zë i fortë në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës të sovranitetit dhe lirisë së saj kundër agresionit brutal të Rusisë. Shqipëria ishte një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si Kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.
Sekretari më pas do të udhëtojë në Konferencën e Sigurisë në Mynih si pjesë e delegacionit të kryesuar nga Zëvendës Presidenti Harris” deklaroi Miller.
Më herët, zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kim zbardhi axhëndën e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës në Europë.
“Ne do të nisemi nesër për një udhëtim me dy ndalesa në Evropë. Ndalesa e parë do të jetë në thelb një ndalesë ditore në Shqipëri që do të zgjasë nga ora 11:00 deri rreth orës 7:00 ose 8:00 të mbrëmjes” u shpreh Kim.