Sekretari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike zyrtare, Arbri Agalliu ka dhënë një deklaratë për mediat, ku është shprehur se kryeministri, Edi Rama po i shmanget llogaridhënies për akuzat e Ahmetajt, duke u fshehur pas Spiropalit.
Agalliu shton se akuzat publike të bëra nga një prej ish-funksionarëve më të lartë të ekzekutivit, në lidhje me përfshirjen e Kryeministrit dhe të funksionarëve të lartë të Këshillit të Ministrave kanë nevojë për transparencë.
Ai thekson se Rama ka gjetur ditën e delegimit, kur Blinken viziton Shqipërinë, sipas tij për një arsye të vetme, ta kalojë pa dhënë llogari dhe ta sfumoi me vizitën e sekretarit.
Deklarata?
Me datë 01.02.2024, në një Operator Televiziv, dëgjuam një intervistë të ish- Zv.Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Z.Arben Ahmetaj.
Akuzat publike të bëra nga një prej ish-funksionarëve më të lartë të ekzekutivit, në lidhje me përfshirjen e Kryeministrit dhe të funksionarëve të lartë të Këshillit të Ministrave, si dhe të Kryetarit të Bashkisë Tiranë në këtë aferë korruptive, kanë nevojë për transparencë.
Qytetarët shqiptarë kanë nevojë të degjojnë të vërtetat në lidhje me këto akuza shumë të rënda penale. Akuza të cilat e lidhin drejtëpërdrejt Kryeministrin si personin e vetëm që ka ideuar dhe ka marrë përgjegjësi publike për realizimin e kësaj skeme korruptive, duke e identifikuar atë si pronar faktit të këtyre Inceneratorëve së bashku me Kryetarin e Bashkisë, Erjon Veliaj, të cilët kanë realizuar këtë skemë korrupsioni që dëmton rëndë qytetarët shqiptarë, të cilëve iu grabiten nga taksat e tyre deri ne 430 milion Euro.
Ky i fundit, jo vetëm që ka dy javë që e zvarrit këtë interpelancë, por së fundmi na komunikohet që e ka deleguar tek përfaqësuesja e tij në Parlament, znj. Spiropali. Përvecc faktit që interpelanca nuk delegohet, Rama ka gjetur edhe ditën e delegimit, pikërisht kur Sekretari i Shtetit z.Blinken viziton Shqipërinë.
Edi Rama do duhet të japë llogari para shqiptarëve për aferën më të madhe korruptive të kësaj qeverie. Do duhet të vijë vetë në seance plenare dhe të japë përgjigjet për pyetjet që ne kemi ngritur.