Komisioni i Reformës Zgjedhor u mblodh sot sërish online për të diskutuar për ndryshimet e mundshme një vit përpara zgjedhjeve parlamentare, me theks të veçantë votën e diasporës. Kishte disa parti të vogla që përmes kryetarëve ose përfaqësuesve të tyre shpalosën idetë, por munguan aleatët parlamentarë opozitarë.
Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, kryetari i Partisë Bashkimi Për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu e kanë bojkotuar. I vetmi që ka marrë pjesë nga aleatët tradicional të së djathtës është Dashamir Shehi.
Kryetari i Partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi shpalosi katër kërkesa për lista të hapura, sistem proporcional, vota e Diasporës dhe votimi elektronik.
“Unë jam për katër pikat, i kam dorëzuar me kërkesën me shpresën se do të ndërtohet me referendum, nuk kam entuziazëm se do të hyet kaq thellë, por këta katër pika janë ato çfarë përfaqësojmë ne.
Ne jemi një përfaqësues, jo të gjithë, mendimi im bazë është ky, që qytetarët shqiptarë duhet që të kenë një të drejtë proporcionale, jemi për proporcional kombëtar, ligji të punojë kudo edhe për qarqe të vogla, listat të hapen deri në fund.
Edhe mund të ndodhin probleme, por me komisionerë na kanë ndodh probleme, do të fusin duart dhe zgjedhjet i kontrollojnë ata, të bëhet me elektronikë. Duhet me pas kurajë që kjo punë të bëhet.
Kanë shkuar para publike sa të duash, ia vlen të harxhohen ca, 2-3% të votave të numërohen edhe me mënyrë fizike. Jam për të votuar emigrantët, mund të votohet me postë elektronike, ka miliona në botë që e bëjnë, kurse ne s’paskemi?!”, u shpreh Shehi.