Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë sot në një konferencë të jashtëzakonshme. Pasi ka uruar Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë si dhe shprehur keqardhjen për vdekjen e liderit të opozitës ruse, ai u ndal tek arsyeja e kësaj konference.
Basha ka folur lidhur me vendimin e gjykatës, dënimin e ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal me 28 muaj burg. Basha akuzoi Edi Ramën për shpifjet që bëri në emër të tij, ndërsa tha se është e paprecedentë në historinë e Shqipërisë dhe në historinë e vendeve demokratike, që kryeministri i vendit korrupton shefin e FBI për të sulmuar kryetarin e opozitës.
“Drejtësia amerikane foli. McGonigal pranoi të gjithë operacionin e pisët kundër Lulzim Bashes dhe PD. Dhe dje mori dënimin prej 2 vitesh e 4 muaj burg për rolin e tij në këtë aferë që ka tronditur jo pak edhe opinion publik dhe agjensitë e ligjzbatimit dhe të zbulimit.
Drejtësia anerikane ka zbardhur në detaje gjithë operacionin kriminal që dirigjohej nga zyra e Edi Rames, ushqyer dhe mbështetur edhe nga disa gjoja opozitarë që sot shesin moral.
Dënimi i ish-agjentit të FBI, Charles McGonigal, nga Gjykata Federale e Ëashingtonit nxori në pah luftën e paprinciptë dhe të pamoral të Edi Ramës ndaj opozitës shqiptare dhe veçanërisht ndaj meje si drejtues i saj.
Ai nuk u mjaftua vetëm me përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje, me shitblerjen e votës, me kriminalizimin e shtetit, me përdorimin e aseteve publike dhe privatizimin e shtetit për mbledhje votash, por korruptoi edhe zyrtarin e lartë të FBI vetëm e vetëm për të goditur Lulzim Bashën, PD, opozitën dhe për të penguar rotacionin politik vend.” tha Basha.