-sidi education-spot_img
8.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Arben Malaj: Inat personal, apo shërbim personal?!

Kryesoret

Nuk mund ta kuptoj dot këtë urrejtje ndaj kryeministrit të zgjedhur të Kosovës nga disa opinionistë në mediat në Shqipëri. Jam në vetvete i paqartë, është inat personal apo shërbim personal. Por, jam shumë i qartë se kjo fushatë keq e orkestruar, asnjë të mirë nuk i sjell Kosovës, për të cilën disa përbetohen. Kurti, Osmani, Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës nuk duhet të krijojnë mungesë koordinimi me faktorët ndërkombëtarë.

Çdo angazhim ndërkombëtar për të lehtësuar dhe garantuar paqen dhe rritjen e mirëqenies në Ballkan duhet të respektohet rreptësisht, duke filluar nga Kurti. Një shembull i rëndësisë së integritetit vjen nga Greqia fqinje. Ish-ministri gjerman i Financave, gjatë krizës greke, Wolfgang Schäuble, në një intervistë theksoi se Tsipras nuk na gënjeu kurrë, ndërsa ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, ishte zgjidhja më e keqe.

Integriteti dhe korrektësia e Kurtit dhe qeverisë së tij ka një ndikim të rëndësishëm në mbështetjen ndërkombëtare të Kosovës në sfidat e saj të vështira. Kurti u kritikua për mospërkrahjen e “Ballkanit të Hapur” – nismë që mbivendosej me CEFTA-n dhe “Procesin e Berlinit”.

Rezultoi se Kurti kishte të drejtë. Kosova mori lajmin e keq nga Tirana, gjatë vizitës së presidentit francez Macron se Kosova nuk do të përfitonte nga liberalizimi i vizave në janar 2024. Më vonë, kur lajmi rezulton i pasaktë, ata lodhen duke u justifikuar se ishte një gabim përkthimi. Shqipëria i ka justifikuar historikisht dështimet me “gabime në përkthim”. Në librin “Dimri i vetmisë së madhe” Kadare ka “sqaruar” se Hoxha dhe Hurshov fillimisht janë keqkuptuar për shkak të përkthimit të keq të bisedës mes tyre. Kurti premtoi se në janar 2024 Kosova do të përfitojë nga liberalizimi i vizave dhe kjo ndodhi. Sot Kosova lëviz pa viza. Kurti dhe Osmani kishin kohë që paralajmëronin dhe po paralajmërojnë sërish se Serbia ka grupe paraushtarake dhe ushtarake për ta mbajtur Kosovën nën presion ushtarak të përhershëm.

Ngjarja e ndodhur në Branjskë të Zveçanit në veri të vendit, justifikuan shqetësimin e tyre të përsëritur. Reagimi thellësisht profesional i policisë së Kosovës tregoi elemente të rëndësishme të shtetformimit të saj. Jam shumë mirënjohës për gjithçka që Shqipëria ka bërë që Kosova që të fitonte lirinë dhe pavarësinë. Në mediat shqiptare ka shumë analistë nga Kosova, që përgjithësisht janë rreshtuar kundër Kurtit. Ndërkohë që ka pak ose aspak analistë shqiptarë që “sundojnë” mediat e pavarura në Kosovë. Besoj se presidentja Osmani, kryeministri Kurti, qeveria dhe parlamentarët e opinioni publik janë dhe do t’u jenë gjithmonë mirënjohëse aleatëve të tyre strategjikë, SHBA-ve dhe BE-së.

Nuk mbështes as një përpjekje të Kurtit, por jo vetëm të Kurtit, për të rritur ndikimin e tyre personal në faktorin politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Nuk mirëkuptoj dot asnjë rivalitet mes liderëve shqiptarë se “kush është më i fortë/më i përkëdhelur”, apo kush do të ndikojë apo përcaktojë ndikimin mbi shqiptarët në rajon. Edhe kryeministri shqiptar nuk duhet të ndikojë apo paragjykojë publikisht qëndrimet e politikanëve të zgjedhur të Kosovë, por edhe të shqiptarë në vendet e tyre. Kontributi i ndërsjellë pozitiv rritet kur liderët tanë takohen, qoftë edhe në mënyrë të tensionuar, për të zbutur kontradiktat personale, për të rritur bashkëpunimin dhe për të krijuar sinergji pozitive, midis të gjithë popujve të Ballkanit.

Garancia se nëse Kosova sulmohet nga Serbia, Shqipëria do të jetë ushtarakisht pranë saj është e panevojshme dhe e padobishme, për një vend anëtar të NATO-s. Ky kërcënim nga Shqipëria “përligj” armatimin e përshpejtuar të Serbisë. Armatimi i rëndë i Serbisë, edhe pse i kushtueshëm, ka ardhur duke u shtuar vitet dhe muajt e fundit. Zgjidhja e ardhshme e konflikteve Serbi-Kosovë kërkon që Kosova të angazhohet në masën maksimale për parandalimin e luftërave dhe konflikteve.

Aq më tepër në Ballkanin Perëndimor, ku fitili i konflikteve etnike dhe shkëndija e ndezjes së tyre janë më afër se kurrë më parë. Parandalimi i konflikteve të armatosura është mbështetja më e mirë që mund t’i japim Kosovës dhe rajonit tonë, ku konfliktet e vjetra shpesh provokojnë situata pasigurie dhe paqartësie për të sotmen dhe të ardhmen.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit