Bashkëshortja e udhëheqësit të opozitës ruse, Alexei Navalny u zotua të hënën se do të vazhdojë luftën kundër Kremlinit.
Me zërin që i dridhej herë pas here në një video të postuar në mediat sociale, Yulia Navalnaya akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për vrasjen e burrit të saj në një burg të largët në Arktik. Ajo tha se refuzimi i zyrtarëve për t’ia dorëzuar trupin e tij nënës së tij, ishte pjesë e përpjekjes për të fshehur arsyen e vërtetë të vdekjes së tij.
Autoritetet ruse thanë se shkaku i vdekjes së Navalnyn të premten në moshën 47-vjeçare nuk dihet ende është ende i panjohur. Dhe rezultatet e çdo hetimi ka të ngjarë të vihen në dyshim jashtë vendit.
Shumë udhëheqës perëndimorë kanë thënë se e konsiderojnë presidentin rus përgjegjës për vdekjen e kundërshtarit të tij.
Të hënën, Ivan Zhdanov, drejtori i Fondacionit Kundër Korrupsionit të Navalny-t, tha se trupi i tij nuk do t’i jepej nënës së tij për 14 ditë derisa të kryhet një analizë kimike, sipas një hetuesi rus.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell tha se blloku po shqyrtonte vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të pavarur për shkaqet e vdekjes së Navalny-t.
Presidenti Joe Biden tha të hënën se edhe administrata e tij po shqyrton mundësinë e vendosjes së sanksioneve shtesë ndaj Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi akuzat e udhëheqësve perëndimorë si “të papranueshme”.
“Këto deklarata nuk mund t’i bëjnë asnjë dëm kreut të shtetit tonë, por sigurisht i bëjnë të duken keq ata që i bëjnë ato”, tha Peskov në një telefonatë me gazetarët.
Në deklaratën e saj, Navalnaya tha: “Duke vrarë Alexein, Putin vrau gjysmën time, gjysmën e zemrës dhe gjysmën e shpirtit tim”. “Por unë kam ende gjysmën tjetër që nuk më lejon të dorëzohem. Unë do të vazhdoj punën e Alexei Navalnyt”, tha ajo./VOA