Një 31-vjeçar është zbuluar nga uniformat blu të Shkodrës se shiste pjesë automjetesh të kontrabanduara nga Anglia, gjithashtu fshihte të ardhurat nga ky biznes. Si rezultat i riu po procedohet në gjendje të lirë, por ajo që bën përshtypje është “fiksimi” në këtë rast me mjetet e tipit “Benz”, kjo pasi policia nga kjo ngjarje ka sekuestruar 11 makina të këtij lloji. Të gjitha në emër të 31-vjeçarit.
“Shiste pjesë automjetesh të kontrabanduara nga Anglia dhe fshihte të ardhurat nga ky biznes, procedohet penalisht 31-vjeçari. Sekuestrohen 11 automjete tip “Benz”.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, se një shtetas shiste pjesë automjetesh të kontrabanduara, në servisin e tij në fshatin Kryebushat, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në kuadër të operacionit “Informaliteti”, goditën këtë veprimtari të kundërligjshme.
Pas kontrolleve dhe verifikimeve në servisin e 31-vjeçarit, shërbimet e Policisë sekuestruan 11 automjete tip “Benz”, të dyshuara të kontrabanduara nga Anglia, me qëllim shitjen në pjesë, aktivitet për të cilin, ky shtetas nuk deklaronte të ardhurat” thuhet në njoftimin e policisë.