Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e sotme ka ndryshuar buxhetin e shtetit. Qëllimi është dhënia e 4 miliardë lekëve si garanci sovrane për paketën e fasonëve që janë në krizë për shkak të rënies drastike të euros dhe jo vetëm.
“Përmes këtij akti normativ po mbështesim edhe një Instrument të Garancisë Shtetërore prej 4 miliardë lekë në mbështetje të bizneseve të sektorit të industrisë përpunuese fason, të cilat kanë nevojë të përmirësojnë proceset teknologjike dhe të rrisin më tej produktivitetin, kjo edhe për të përballuar efektet e goditjeve në këtë sektor. Ky instrument synon mbështetjen e bizneseve nëpërmjet garancisë shtetërore të huasë, me qëllim sigurimin e financimit të nevojshëm nga bankat e nivelit të dytë.
Gjithashtu, ndryshimet në këtë akt parashikojnë riklasifikimin e kategorisë së financimit të portit të ri tregtar, financimin e strukturës së posaçme në mbrojtje të mjedisit dhe zhvillimit të turizmit, si edhe mbështetjen financiare për rikonstruksionin e disa godinave dhe përmirësimin e kushteve infrastrukturore të arsimit profesional, në kuadër edhe të vëmendjes së Qeverisë për këtë sektor” tha ministri Ervin Mete.