Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen se dëshiron të ndihmojë Kosovën dhe Serbinë që të gjejnë një zgjidhje për çështjen e përdorimit të dinarit serb në Kosovë, pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në shtet.
Zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe sigurisë, Peter Stano, megjithatë gjatë konferencës për media më 23 shkurt nuk deshi të japë detaje rreth një takimi të thirrur për javën e ardhshme në Bruksel për këtë çështje.
“Duhet t’i kthehemi praktikës së deritanishme që të mos flasim në publik dhe konferenca për shtyp për logjistikën e përgatitjeve të takimeve në nivel të grupeve punuese”, tha Stano. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të premten se çështja e dinarit “mund të zgjidhet këtu në Kosovë”, duke shtuar se nuk është dashur që kjo temë të shkaktonte “përplasje me aleatët”.
Ndërkaq, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, më herët gjatë javës ka konfirmuar se zyra e tij ka pranuar një ftesë nga BE-ja për takim për çështjen e dinarit. Ai ka thënë se nuk do të marrë pjesë në këtë takim, duke theksuar se nuk e di se kush mund të marrë pjesë në të nga Kosova.
“Dërguam letrën për palët dhe sqaruam në detaje se si presim të merren me çështje të caktuara. Ne shpresojmë që të dyja palët do të gjejnë zgjidhje për një çështje që ishte krijuar me një vendim pa afat dhe pa konsultime të njërës palë, që pati ndikim te pala tjetër”, tha Stano. “Ne nuk jemi komentues, por lehtësues dhe bëjmë përpjekje t’iu ndihmojmë palëve që të gjejnë zgjidhje”, shtoi ai.