Lexova diku se një grup studiuesish e intelektualësh, të shqetësuar për nivelin e ulët të informacionit shkencor nëpër mediat tona, paskan nënshkruar një peticion përmes të cilit kërkojnë nga studiot televizive të mos jenë të hapura për individë të papërgatitur shkencëtarisht?!
Thënë më qartë, nënshkruesit e këtij peticioni kërkojnë që pseudo shkenca të mos luftohet me zërin shkencorë, por ashtu si në kohët e Xhaxhit Enver – me cenzorë e censurë dhe me ligje e dekrete!
Pse, mos vallë dikush ka pritur që intelektualët tanë të nënshkruajnë peticion kundër rrënimit të mbëmendjes shqiptare, si për shembull, kundër rrënimit të Teatrit Kombëtare në Tiranë?!
Apo mos vallë dikush ka besuar se intelektualët tanë janë aq naiv sa të nënshkruajnë peticion kundër pushtetarëve që ua mbushin grazhdin nga i cili majmen, pra kundër atyre që e zhvatën popullin dhe i shpopulluan ‘Shqipëritë’ tona?!
Jo, elitat tona shkencore, kulturore…, nuk merren me sistemin e rrënuar arsimor, as me idiotët e dobishëm shqiptarë të Kishës Ortodokse Serbe që e përçajnë popullin në baza fetare dhe thonë se fatkeqësia jonë kombëtare është feja islame, por ato elita merren me ata që më së paku e dëmtojnë shoqërinë tonë, më ata që thonë se edhe shpendët e flasin gjuhën shqipe!
Siç duket intelektualëve tanë nuk u pengon financimi i amoralit, paturpësisë dhe shthurjes mediatike, pra ata nuk i shqetëson shkatërrimin i familjes shqiptare, por i lë pa gjumë veprimtaria e atyre që thonë se edhe toka edhe qielli kanë përkatësi etnike shqiptare!?
Sidoqoftë, peticioni i lartë përmendur i intelektualëve dhe studiuesve shqiptarë më së miri e shpërfaq të vërtetën se askujt nuk i pengon pse jemi bë shoqëri ku votuesi blihet më lirë se një dele, ku është turp të turpërohesh dhe ku ke përshtypjen se edhe hajduti edhe bardi, edhe krimineli edhe i ndershmi, edhe i pafytyri edhe i ndërgjegjshmi…, të gjithë sa janë, pasurohen e majmen nga varfëria shqiptare!