Gjatë fjalës së tij mbrëmjen e sotme ish-kryeministri Sali Berisha, e nisi me një koment për Saminitin për Ukrainën, i mbajtur në Tiranë.
Berisha u shpreh se PD ka qenë gjithmonë “lokomotivë” për integrimin e Shqipërisë në BE, rajon dhe në NATO, ndërsa ftoi të gjithë të brohorasin: Lavdi Ukrainës.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha gjithashtu se këtë samit e dëmtoi prania e binomit argat-padron, Edi Rama-Vuçiç.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Të dashur miq, sot në Tiranë u mblodh samiti i Europës Juglindore dhe Ukrainës.
PD, pas themelimit të saj, ka qenë lokomotivë e të gjitha proceseve integruese të Shqipërisë, në rajon, në BE, në NATO.
Ajo ka besuar fort dhe ka punuar për bashkëpunimin, miqësinë midis vendeve të rajonit, integrimin e Shqipërisë në Europë.
Por duke përshëndetur praninë e përfaqësuesve të vendeve të rajonit, në veçanti praninë e presidentit të Ukrainës, ndaj dhe ju ftoj të brohorasim së bashku: Lavdi Ukrainës.
Por rëndësinë e këtij samiti e zbehën dhe e dëmtuan shumë prania e binomit argat-padron, Vuçiç-Edvin.
Duke garantuar presidentin Zelenski se PD dhe Shqipëria qëndrojnë në mbështetje të fuqishme dhe të palëkundshme të betejës së tyre, të mbrojtjes së tyre nga agresioni barbar i Vladimir Putinit, dhe se ata kanë pasur dhe do kenë mbështetje gjer në fitoren e plotë të kauzës së tyre të drejtë.
Ky ka qenë qëndrimi i PD që ditën e parë të agresionit barbar të Vladimir Putinit.
Sikundër, PD ka denoncuar haptas para këtij agresioni të gjitha projektet serbo-ruse për hegjemoninë serbe në rajon dhe influencën ruse në Ballkan.