Në Tiranë është zhvilluar sot samiti për Ukrainën. I pranishëm është presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili mbërriti në kryeqytet në orët e vona të mbrëmjes të së martës. Ai u prit në aeroportin e Rinasit nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Para nisjes së samitit, Zelensky u prit nga kryeministri Edi Rama në kryeministri. Rama dhe Zelensky zhvilluan një takim kokë më kokë. Presidenti ukrainas kërkoi ndihmë për furnizimin me municione të cilat tha se në të ardhmen e afërt synon që t’i prodhojë në Ballkan.
Por përse u zgjodh Tirana për këtë samit dhe çfarë fiton konkretisht Ukraina? Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti në një intervistë për “5Pyetjet.al” shpjegon rëndësinë e samitit të Tiranës, referuar situatës në Ballkanin Perëndimor.
Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që u rreshtuan në krah të Ukrainës kur nisi pushtimi rus. Po ashtu, Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm dy vitet e fundit kur ishte anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për çështjen e Ukrainës.