Një tragjedi është regjistruar ditën e sotme në “La Manch” ku një gomone me emigrantë që tentonin të futeshin në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar është përmbysur. Mediat britanike informojnë se si pasojë kanë humbur jetën 3 persona.
Një emigrant i katërt është parë teksa trupi i tij pluskonte në ujë. Kjo tragjedi vjen pasi kontrabanduesit e vegjël përfituan nga moti i mirë ditën e sotme për të nisur disa varka me emigrantë nga brigjet e Francës drejt Britanisë. Sipas raportimeve janë dërguar 300 emigrantë tek qendra e pritjes në Portin e Doverit.
Ky numër i ardhjes së migrantëve gjatë një dite është më i larti, që kur filloi kjo krizë në vitin 2018. Fundjavën e kaluar mbërritën 290 migrantë teksa kaluan brigjet britanike me 5 varka ditën e diel.