Presidenti ukrainas, Zelensky ishte në Tiranë për të kërkuar ndihmë në Ballkan për armatime për t’i bërë ballë Rusisë në front. Ai paralajmëroi rrezikun rus në Ballkan dhe mundësinë që Putin në cdo moment mund ta destabilizojë. Profesori Milazim Krasniqi nga Prishtina në një lidhje me “Skype” për 5Pyetjet.al u shpreh se rreziku i konfliktit në Kosovë është real nga brenda, pra popullsia serbe. Analisti ngriti një hipotezë se përse sipas tij Ukraina mund të jetë e interesuar për përhapjen e krizës në Ballkan.
“Janë dy gjëra të ndryshme, mund të kenë ndonjë lidhje simbolike ose okulte, por realisht janë të ndryshme. Çështja e Kosovës është produkt i krizës së shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe është në një proces të finalizimit të procesit përfundimtar dhe ka mbetur ky kontesti me Serbinë që është shumë i ngatërruar pasi ka elementë religjose, historike, gjeopolitike dhe social-etnike.
Edhe pa Ukrainën kompleksiteti i krizës në raportin mes Kosovës dhe Serbisë është i mjaftueshëm për të pasur kokëçarje rajoni. Kriza në Ukrainë e ka futur edhe një dimension shumë më të madh të kësaj rusofobie, sepse gjasat janë që influenca ruse është edhe në rajon përmes Serbisë, mbase edhe në vende të tjera, por Serbia është epiqendra. Në Nish ekziston qendra humanitare serbo-ruse, që në sens është qendër spiunazhi dhe e veprimeve të shërbimeve inteligjente.
Janë dy gjëra të ndryshme por vizita e Zelenskyt në Tiranë është ende herët që të vlerësohet plotësisht por mund të vlerësohet edhe në këtë kuptim që Ukraina është në siklet të madh dhe po kërkon hapësira të krijimit të aleancave dhe ndihmave që me gjasë kanë filluar t’i mungojnë nga Perëndimi dhe e dyta ndoshta jo vetëm Rusia por ndoshta edhe vetë Ukraina mund të jetë e interesuar për ta përhapur krizën në Ballkan për të krijuar një vijë të përbashkët jo stabiliteti. Kjo është hipotezë…” tha ai për 5Pyetjet.al.