Bashkimi Evropian tha të enjten se raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Serbi “konfirmon shqetësimet e bllokut”, rreth parregullsive në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 17 dhjetorit në vendin ballkanik.
Zyra për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, tha në raportin përfundimtar se zgjedhjet u mbajtën në kushte të padrejta dhe u “dëmtuan nga retorika e ashpër, anshmëria në media, trysnia ndaj punonjësve të sektorit publik dhe keqpërdorimi i burimeve publike”.
Raporti paraqiti po ashtu propozimet për veprimet që duhet të marrin autoritetet serbe para zgjedhjeve të ardhshme.
Serbia është një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiç është përballur me akuza për shkelje të lirive demokratike.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se raporti i OSBE/ODIHR-it konfirmon shqetësimet e bllokut për procesin e zgjedhjeve në Serbi.
“Procesi elektoral në Serbi kërkon përmirësime të dukshme dhe reforma të mëtejshme, sepse funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është në thelb të procesit të anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian”, tha zoti Stano.
Ai tha se raportet për parregullsi duhet të hetohen në mënyrë transparente, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet lokale, ndërsa mirëpriti siç tha, gatishmërinë e autoriteteve në Serbi për të punuar në zbatimin e rekomandimeve./VOA
Lexo KËTU shkrimin e plotë
/5pyetjet.al