Kryeministri Albin Kurti nuk ishte në samitin Ekonomik të Tiranës. Kjo solli reagime të shumta. Vetë Kurti ka treguar arsyen e mospjesëmarrjes në Samitin Ballkani Perëndimor-BE të mbajtur në Tiranë. Ai ka thënë se vizita në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë ishte përgatitur nga viti i kaluar, prandaj pjesëmarrja në takimin e liderëve të BP-së ishte e pamundur.
“Megjithëkëtë, në konferencën e sotme në Tiranë me titull ‘Plani i Rritjes dhe Konvergjenca’, isha pjesëmarrës virtualisht përmes një videomesazhi ku theksova mbështetjen dhe solidaritetin e Republikës së Kosovës me Ukrainën dhe popullin e saj; bashkëpunimin dhe integrimin Rajonal përmes Procesit të Berlinit bazuar në rregullat dhe vlerat e BE-së; përkrahjen dhe përkushtimin për Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian që mundëson lidhjen graduale me Tregun Unik të BE-së; përkushtimin në reforma dhe pritjet për samitin e radhës të Procesit të Berlinit dhe Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal (TPR)”, ka shkruar Kurti në Facebook.