E premtja ishte e zezë për Lushnjen. Babë e bir vdiqën dje dhe deputeti Bujar Çela u plagos dhe ndodhet në spitalin e Traumës pas një shpërthimi në biznesin e tij.
Dy viktimat që shkaktoi shpërthimi janë Roland dhe Elidon Hoxha, babë e bir që po punonin në vinçin i cili ra në kontakt me linjën e tensionit të lartë e më pas flakët shpërthyen masivisht.
Roland Hoxha humbi jetën që në momentet e para të ngjarjes për shkak të plagëve të rënda, ndërsa i biri 24 vjeçar nuk ia doli dot të mbijetojë rrugës për në spitalin e Traumës.
Të plagosur kanë mbetur dhe 6 të tjerë, 2 prej të cilëve ndodhen aktualisht te Trauma në kryeqytet. Të plagosurit e tjerë janë; Sokol Lumi, Ervis Sharka, Lunedi Golemi, Ilia Sota dhe Erigjet Gorovelli.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:05 në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” në një kapanon në ndërtim. Dyshohet se gjatë punës Roland Hoxha që ishte në ditën e parë të punës me të birin duke drejtuar vinçin, aksidentalisht ka prekur linjën e tensionit të lartë dhe për rrjedhojë ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm.