Baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është kthyer në kryefjalën e ditës në vendin tonë. Në emisionin ‘5Pyetje nga Ilir Babaramo’ ekspertët e sigurisë kanë dhënë sqarimet e tyre se cili është funksioni i kësaj baze, roli që ajo ka dhe momenti në të cilin ajo hyn në funksion.
Deputeti Xhemal Qefalia, shpjegoi se kjo baza ajrore e NATO-s në Kuçovë është një bazë taktike e cila ka një funksion të përkohshëm. Sipas ekspertit funksioni kryesor është akomodimi i mjeteve si avionë dhe helikopterë gjithashtu dhe stafit deri në momentin kur ato do duhet të përdoren në misione të caktuara.
“Baza në Kuçovë është një bazë taktike e cila shërben për një funksion të përkohshëm që mund të përdoret për të marrë apo lënë ngarkesa. Them që është një bazë e përkohshme taktike pasi shërben për furnizim për një periudhë të caktuar të operacionit. Po të marrim një bazë të përhershme ka një funksion më të detajuar” shpjegoi deputeti.
Informacione dha gjithashtu dhe Artur Meçollari, Kapiten i Rangut të Parë, i cili shpjegoi se baza e Kuçovës është një bazë e përparuar për NATO-n, ku detyra e vendit është ta mirëmbajë për 360 ditë deri në momentin që do jetë koha për të kaluar në mision.
“Duhet të kuptojmë që bazat ndahen në baza mëmë dhe baza të përparuara. Baza mëmë akomodon të gjithë avionët por dhe akomodon personelin. Kjo e Kuçovës është një bazë e përparuar ku detyra jonë është që ta mirëmbajmë 360 ditë deri në momentin kur vjen koha e operacionit.
Në këtë bazë në një periudhë të caktuar lejohet fleksibilitet të forcës ajrore. Në distanca të largëta nuk mund të ketë reagim të shpejtë por me baten e Kuçovës jepet mundësia të ketë një fleksibilitet ajror” shpjegoi Meçollari.