Nga e mërkura (6 mars) kanë mbetur edhe 100 ditë nga fillimi i Kampionatit Evropian në futboll. Tani dihen emrat e 21 nga 24 skuadrat që do të marrin pjesë në turneun e Gjermanisë. Nikoqiri është i kualifikuar automatikisht. Ndërsa 20 ekipe të tjera fituan të drejtën e paraqitjes në garë pas ndeshjeve në grupe. Së shpejti, pas playoffs, do të dihen emrat edhe të ekipeve të tjera pjesëmarrëse. Për tre vendet e mbetura do të garojnë 12 ekipe: Polonia, Estonia, Uellsi, Finlanda, Bosnjë-Hercegovina, Izraeli, Islanda, Ukraina, Gjeorgjia, Luksemburgu, Greqia dhe Kazakistani. Në fund të marsit do të luhen tre mini-turne ku do të vendoset, se cilat skuadra do të kualifikohen në EURO 2024.
Si duket formati i KE?
Formati i Kampionatit Evropian 2024 është identik me Kampionatin e vitit 2020. Skuadrat do të ndahen në gjashtë grupe (nga katër kombëtare). Dy skuadrat e para nga grupet dhe katër skuadrat më të mira në vendin e tretë kualifikohen në raundin e 16-tës. Ndeshjet do të luhen në dhjetë stadiume në Gjermani. Ndeshjet fillojnë në orën 15:00, 18:00 dhe 21:00, sipas kohës në Gjermani. Turneu hapet me ngeshjen Gjermani-Skoci, më 14 qershor në Mynih. Finalja luhet saktësisht një muaj më vonë në stadiumin olimpik të Berlinit.
Pavarësisht rezultateve zhgënjyese në paraqitjet e fundit, ka shumë shpresë se EURO 2024 mund të jetë një ekstravagancë futbolli e ngjashme me Kupën e Botës 2006 në Gjermani. Drejtori i turneut Philipp Lahm deklaroi në një intervistë për DW: “Lojtarët duhet të identifikohen me kombëtaren, duhet të demonstrojnë afërsi me tifozët, duhet të tregojnë pasion për fanellën e Gjermanisë. Kjo është detyra e tyre kryesore”. Presidenti i Federatës Gjermane të Futbollit, Bernd Neuendorf, beson se “skuadra kombëtare do të kënaqë tifozët e saj në EURO 2024”./DW