Debati vazhdon. Pas denoncimit të princit Leka Zogu, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për “Dhunë në Familje”, si dhe po kryen verifikime edhe për publikimin e videos, si provë materiale.
“Në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë më datë 06.03.2024, ora 15.00 është referuar nga Komisariati i Policisë Nr.1 materiali kallëzues i shtetasit L.Z për veprën penale “Dhuna në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, regjistroi kallëzimin penal nr.2893 për Veprën Penale të parashikuar nga neni 130/4 i Kodit Penal. Materiali është shortuar dhe i është ngarkuar prokurorit përkatës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Ndërkohë, në lidhje me të dhënat e publikuara në media, Prokuroria bën me dije se ka nisur verifikimet për publikimin e videos dhe sipas saj rezulton që ajo është publikuar në media para se të dërgohej në Prokurori.
“Nga verifikimet e para, ka rezultuar që materiali kallëzues është depozituar në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pasi videoja është publikuar në media të ndryshme dhe rezulton që zarfi ku është administruar prova të mos jetë i hapur.
Në lidhje me rastin në fjalë, është ngarkuar Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për të kryer veprimet hetimore përkatëse”, thuhet në njoftim.