Telenovela e dhunës brenda oborrit mbretëror vazhdon. Princi Leka dhe Elia morën dje në gjykatë të dy urdhër mbrojtje për të qëndruar larg njëri tjetrit. Por çfarë fshihet pas kësaj historie dhe a do të ishte treguar kaq e butë drejtësia nëse do të ishte një qytetar i thjeshtë në këto rrethana? Avokati i njohur Gylsen Zhllima në një intevsitë me “Skype” për “5Pyetjet.al” shprehet se edhe Princi, ashtu si të gjithë të tjerët duhet të ishte arrestuar.
“Po të ishte një qytetar i thjeshtë do të ishte futur jo në birucë, por në burg, në sekonda, policët do i bënin moral. Policia jonë në këto raste të merr dhe të vendos në birucë.
Në këtë rast është përdorur një mekanizëm tjetër që është i padrejtë. Imagjino një të paraburgosur tjetër për dhunë në familje, të shikojë subjektin X, i cili nuk merret zvarrë nga policia!!!
Kjo është një pabarazi. Si ka mundësi të marrësh zvarrë një qytetar të thjeshtë dhe ti nuk merr subjektin që edhe ka filmuar edhe ka prova që të japin dyshim të arsyeshëm dhe nuk e çon në paraburgim që është dhuna në familje.
Gjithmonë prezumimi i pafajësisë, por nuk mund të përdorim dy standarde. Këtu është një diferencë shumë e madhe. Unë dhe ju të ishim do të na çonin në birucë dhe do të na bënin moral” tha ai.
Por sa vite burg rrezikon Princi nëse akuzohet? “Vepra penale e dhunës dënohet nga 5 ditë deri në 3 vite. Por në rastin konkret nëse vërtetohet se është në prani të fëmijës atëherë shkon dispozita e fundit, atëherë është nga një vit deri në 5 vite” tha ai.
Përveç pistave të hedhura në media, avokati ka një tjetër pistë. “Për mendimin tim personi është këshilluar gabim dhe ka përdorur mjete të gabuara në kohën e gabuar. Kam frikë diçka që nuk ka dalë. Mos ka vajtur vetë duke i thënë “më liro vendin e banimit, shtëpinë se dua të jetoj unë”.
Mos kemi të bëjmë me vetëgjyqësi? Që vetë ky subjekt ka vajtur tek bashkëshortja dhe i ka kërkuar që të lirojë banimin. Këtu kemi të bëjmë me një shkelje shumë të rëndë. Nëse është kjo duhet t’i drejtohej gjykatës” tha ai.
Edhe ngjarja e rëndë në Durrës ku fëmijët vranë të atin lindi nga konflikti në familje. “Sekreti në Durrës është shumë më i madh. Prandaj dhuna në familje nuk ka ardhur si shkak i një sekreti, por problemeve në sistemin e drejtësisë. Kemi një rast të plagosjes së dy familjarëve për shkak të provave” deklaroi avokati Gylsen Zhllima.