Forca të shumta paramilitare serbe rrethuan familjen Jashari në Prekaz të Skenderajt, më 1998. Më 5, 6 dhe 7 mars të atij viti, pas një rezistence të hekurt, u vra Komandanti legjendar Adem Jashari, me 58 familjarë e të afërm të tij, përfshirë fëmijë, gra e pleq.
Janë mbushur 26 vjet që nga ky sulm. Por, për ngjarjen që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, ende nuk ka aktakuzë, ndonëse Prokuroria Speciale thuhej se kishte filluar hetimet qysh në vitin 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ishte ish-prokurorja speciale Drita Hajdari e cila kishte deklaruar se në 2019 kishin filluar hetimet dhe se ishin në fazën e grumbullimit të provave.
“Kam verifikuar nëse rasti është hapur nga EULEX-i apo UNMIK-u apo nga Tribunali i Hagës dhe pasi që kam kuptuar se nuk ka rast të hapur, kam vendosur për hapjen e hetimit me qëllim të zbardhjes së këtij rasti dhe të përgjegjësisë penale për krimet e luftës në rastin konkret”, kishte deklaruar ajo në media.
Hajdari tha se meqenëse më nuk është prokurore, s’ka kompetencë të përgjigjet lidhur me këtë temë. Por në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi”, Kryeprokurori i PSRK-së, Blerim Isufaj ka thënë se s’ka shumë kohë që janë hapur hetimet zyrtarisht.