Një ditë pas zbulimit të bazës së armëve në Vlorë ku u vendos në pranga Luçiano Deraj, ministri i Brendshëm Taulant Balla ka zhvilluar një vizitë në DVP Vlorë.
“Sa herë që kemi një punë të suksesshme edhe unë nuk dua të mungoj për t’ju uruar personalisht. Gjej rastin të falënderoj Ermalin, por mbi të gjitha secilin prej jush edhe këtë harmonizimin e punës që kemi pasur midis të gjitha skuadrave”, tha ai.
Balla gjithashtu kërkoi të intensifikohet puna parandaluese.
“Skuadra e Drejtorisë Vendore qoftë me Forcën Operacionale, qoftë me Sektorin e Krimeve, qoftë me “Shqiponjën” dhe mbi të gjitha pastaj dhe me RENEA-n. Jeni bërë një ekip dhe duhet të vazhdojmë të intensifikojmë gjithë forcën tonë parandaluese këtu në Vlorë, e cila është përgjegjësia juaj dhe këtë gjë e them kudo në Shqipëri për të mos lejuar që grupet kriminale të rikthejnë pasigurinë dhe padyshim që t’i dalin përpara çdo lloj forme të krimit dhe goditja e fenomenit të armëmbajtjes pa leje është një prej objektivave tona të rëndësishme”, u shpreh ministri.