Është krijuar Diaspora Shqiptare në Greqi. Lajmin e ka bërë të ditur vetë DSHG në rrjetet sociale ndërsa kjo shihet si një përqasje e re dhe e domosdoshme për organizimin dhe përfaqësimin e shtetasve shqiptarë rezidentë në Greqi në baza gjithëpërfshirëse dhe demokratike, me kulturë bashkëpunimi dhe etikë komunikimi.
“Ne, përfaqsues të organizimeve të shkallës së dytë dhe dhjetra shoqata dhe organizata të emigrantëve, si edhe veprimtarë të shquar të emigracionit shqiptar në Greqi, të mbledhur në qytetin e Selanikut më datë 25 shkurt 2024, shpallim njëzëshëm dhe zyrtarisht themelimin e Diasporës Shqiptare në Greqi.
Krijimi i DSHG përbën një përqasje të re, të domosdoshme, kalimin në një nível tjetër për organizimin dhe përfaqësimin e shtetasve shqiptarë rezidentë në Greqi në baza gjithëpërfshirëse dhe demokratike, me kulturë bashkëpunimi dhe etikë komunikimi.
Në datë 12 dhjetor 2023, ne publikuam Thirrjen për themelimin e Diasporës Shqiptare në Greqi, duke ftuar të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në diskutimin e hapur për të hartuar Statutin e këtij organizimi, që tu përgjigjet sa më mirë kërkesave dhe sfidave të kohës.
U zhvilluan mjaft takime me përfaqsues organizatash dhe veprimtarë të shquar me një shtrirje gjeografike nga e gjithë Greqia; nga Atika, Greqia e Veriut, Kreta, Peloponezi, Epiri, Thessalia, Greqia Perëndimore etj.
Diskutimet, këmbimi i ideve, përvojat pozitive të organizatave dhe veprimtarëve të shquar në diasporë u shoqëruan me aksione konkrete pranë faktorëve politikë dhe institucionalë të nivelit më të lartë në Greqi” shkruhet në njoftim.