Me Shqipërinë që është në “grupin e zjarrit”, Kampionati Europian këtë vit garanton spektakël. Audienca pritet të jetë maksimale, jo vetëm në fazën e grupeve, por deri në finalen e madhe. Bizneset do ta shfrytëzojnë këtë vëmendje, duke ndarë buxhetet e marketingut, teksa pritet një audiencë rekord. Kur Gjermania fitoi Kampionatin Botëror në vitin 2014, rrugët e qyteteve të Shqipërisë, veçanërisht Shkodra, u mbushën plot me tifozë që dolën të festonin me flamuj e brohoritma e veshje të kombëtares gjermane.
Për një të huaj do të ishte e pamundur të dallonte nëse ishte në Gjermani, apo në një vend të vogël që tradicionalisht është shquar për tifozerinë e lartë për skuadrat e mëdha, në garat europiane apo botërore, përfshirë Brazilin, Italinë, Holandën, Anglinë, apo dhe Spanjën nga brezi më i ri.
“Historikisht ne jemi bërë tifozë me skuadrat e forta”, pohon Alban Xhihani, komentues sportiv. “Kampionati Botëror dhe ai Europian janë evenimente të veçanta në të gjithë rruzullin, që zhvillohen një herë në katër vjet, e kanë një audiencë të lartë, pasi kthehen në një festë traditë për të gjitha vendet, edhe ato që nuk janë pjesëmarrëse”, thotë ai.
Këtë vit, teksa Kampionati Europian po afrohet, interesi është shumë më i lartë edhe për një arsye tjetër. Për herë të dytë në histori, Shqipëria ka arritur që të kualifikohet në “Euro 2024”.
Një skuadër me lojtarë të fortë, me ndeshje cilësore e fitore të pastra, që arriti të kualifikohej me meritë që një ndeshje para se të përfundonin eliminatoret, i ka emocionuar të gjithë.
Këto emocione pritet të kulmojnë me fillimin e Europianit që do të zhvillohet në Gjermani, nga data 14 qershor deri më 14 korrik 2024./Monitor
Lexoni KËTU shkrimin e plotë