Palestinezët po shënojnë fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ndërsa Izraeli njoftoi të hënën se kishte kryer sulme në të gjithë Rripin e Gazës.
Ramazani filloi ndërsa bisedimet e armëpushimit janë të bllokuara, uria po përkeqësohet në të gjithë Rripin e Gazës dhe nuk ka shenja se luftës pesë mujore Izrael-Hamas po i vjen fundi. Lutjet u mbajtën të dielën vonë jashtë mes rrënojave të ndërtesave të shkatërruara.
Në kushte normale, familjet do ta prishnin agjërimin e përditshëm duke u mbledhur për të festuar me ushqim të bollshëm, por edhe në ato pjesë të Gazës ku ka ushqim, bëhet fjalë vetëm për konserva dhe çmimet janë shumë të larta për shumicën.
Operacionet izraelite vazhdojnë pasi javë të tëra negociatash me angazhimin e Egjiptit, Shteteve të Bashkuara dhe Katarit për të siguruar një armëpushim të ri midis Izraelit dhe grupit militant Hamas përpara Ramazanit, nuk arritën rezultat.
Marrëveshja do të përfshinte lirimin e pengjeve të mbajtura nga militantët në Gaza dhe lirimin nga Izraeli të një numri të burgosurish palestinezë.
Negociatorët e Hamasit thanë kur u larguan nga Kajro javën e kaluar se negociatat e armëpushimit do të rifillonin këtë javë.
Ushtria izraelite tha se operacionet e saj përfshijnë sulme ajrore dhe tokësore në Khan Younis dhe zona të tjera të Gazës jugore, si dhe në Gazën qendrore./VOA