Dhjetëra mijëra shqiptarë kanë emigruar gjatë viteve të fundit në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesa më e madhe janë të integruar mirë, por ka mes tyre edhe që kanë zgjedhur rrugën e fitimit të shpejtë dhe pa mund, duke u bërë pjesë të industrisë së paligjshme të rritjes së kanabisit në ambiente të mbyllura, në të ashtuquajturat “shtëpitë e barit”.
Pamjet e filmuara nga policia britanike tregojnë arrestimin e njërit prej tyre, një burrë që po e quajmë Milo dhe që pranoi të ndante historinë e tij me BIRN me kushtin e ruajtjes së anonimatit.
“Një shtëpi bari për shqiptarët, për ata që e kanë vuajtur është një ferr i vërtetë. Ata që nuk e dinë dhe ikin me atë mendimin leku letër – siç e bënë kuksiani, për një muaj thotë e bëj lekun letër, është një mashtrim dhe reklamë fantazmë”, tregon ai.
Milo nuk përmbush profilin tipik të emigrantit shqiptar që përfshihet në një “shtëpi bari”. Në mes të 50-ave, ai është i martuar dhe ka tre fëmijë. Përpara se të udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar ka punuar në administratën publike dhe është marrë me biznes. Ai udhëtoi drejt Londrës në vitin 2020, me ndihmën e një trafikanti, të cilin e pagoi 16 mijë paund.
“I kam hipur taksisë këtu, kam mbërritur drejt e në Londër. Kemi kaluar tunelin e La Manshit. Jemi futur në bagazh të një ‘Audi A6’, na futi shoferi. Gati 40 minuta kemi qëndruar në bagazh, deri sa kemi arritur në Londër,” tregon ai.
Përmes informacioneve të përcjella nga autoritetet britanike, policia shqiptare ka krijuar një profil për subjektet me risk emigrimi dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme. Sipas zv.ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, pjesa më e madhe e tyre janë meshkuj të moshës 20 deri në 45 vjeç./VOA