Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin e mbrëmjes së sotme për mbështetësit e tij u ndal tek arsimi.
Berisha deklaroi se tani shkollat ndërtohen me 8 milionë euro dhe jo me 600 mijë euro, siç bëhej gjatë qeverisjes së PD-së.
Ai e vuri theksin edhe tek renditja e PISA, ku Shqipëria ka pësuar rënie katastrofale në renditjen e universiteteve dhe shkollave.
“Po tjetër? Shkolla nuk ndërtohet më me 600 apo 700 mijë euro. Ndërtohet me 8 milionë, ndërtohet me 6 milionë. Sepse vidhen 80 përqind e investimit.
Po cili është rezultati?
Rezultati më i hidhur, më i dhimbshëm, më turpërues, Shqipëria këtë vit në testin PISA, në 8 vitet e qeverisjes së tyre, dhe më lejoni t’u sqaroj se ky test përfshin ciklon 9-vjeçar. Pra, kur u plotësuan tetë vite të qeverisjes së tyre, në testin PISA të cilësisë së arsimit, Shqipëria pati rënien më katastrofale.
Shqipëria u dëshmua kampione në botë për rënien e cilësisë së arsimit në 8 vite.
Shqipëria në këto 8 vite zbriti nën nivelin që kishte arsimi në vitin 2000.
Ky është shërbimi që pushteti i krimit, i vjedhjes, i drogës u ofron fëmijëve shqiptarë në procesin më të rëndësishëm të tyre, shkollimin.
Qytetarë dhe qytetare, duhet të refuzoni me përçmim propagandën që përpiqet t’u mashtrojë, përpiqet t’u bëjë shpëlarjen e trurit, të mohojë ato që arritët, vetëm e vetëm për të mbuluar dështimet e tij.
Çfarë shërbimi është ky më thoni ju mua?
Mësuesit e mirë sot janë larguar. Zëvendësohen me militantë.
Shkolla pra, e cila është vatra më e dytë për fëmijët pas familjes, është në ditën e saj më të zezë.
Po pse kjo? Sepse paratë që ju jepni për shkollimin e fëmijëve tuaj, vidhen, vidhen dhe vetëm vidhen.
A mund të tolerojmë ne më tutje këtë situatë?” deklaroi Berisha.