Kryeministri Edi Rama nga asambleja socialiste në Gjirin e Lalzit deklaroi se bashkë me opozitën, që sipas marrëveshjes së fundit që bëri është ajo e drejtuar nga Sali Berisha do të negociojnë dhe bisedojnë te komisioni i Ligjeve për reformat që duan shumicë të cilësuar, 84 vota.
“Duke nxitur një dallgë të re reformash, të zbatimit të ligjit dhe anti-korrupsionit, që shkon në një linjë me fazën e re të bisedimeve për anëtarësim në BE. Aq më mirë akoma. Por kjo është e domosdoshme për një fazë të re të vendit në tërësi. Më vjen mirë që Kuvendi do të pushojë së qeni çmendina e muajve të fundit.
Mbase rikthimi i fjalës do të krijojë mundësi për të komunikuar, por sidoqoftë shumica jonë do të vendosë në komisionin e ligjeve për të nxitur një debat të madh publik për sfidat e integrimit, reformat dhe masat që duhet të marrë Shqipëria pa humbur kohë. Fola për sfida kombëtare. Bisedimet për anëtarësim nuk janë thjeshtë të qeverisë, por të treja pushteteve dhe 147 institucioneve, një numër i konsiderueshëm të pavarura që ndërveprojnë drejtpërdrejt me KE-në.
Debati i madh do ta ketë gravitetin e vet në Kuvend. Do të krijojmë te komisioni i Ligjeve një mekanizëm mes shumicës dhe pakicës për nismat ligjore përtej votave të PS-së duhet të shkojë në drejtimin e duhur, me sfidat e procesit të anëtarësimit. U fol këto ditë për pazare dhe njohje nga ana jonë të zotërisë në ballkon, apo trembje të socialistëve nga SPAK-u, apo vënie nën kontroll të drejtësisë së re. Të gjitha janë broçkulla” tha ai.